Fragment nga libri Arsyeja Elementare
Në thellësinë e mendimit filozofik që synon të prekë fillimin e gjithçkaje, ndoshta nuk ka mjet më të fuqishëm se përfytyrimi njerëzor. Nëse ekziston një akt themelor që shënon kapërcimin nga e pamendueshmja në të mundshmen, ai akt është përfytyrimi. Kjo është një nga ato fuqi që e lartëson mendjen njerëzore përtej kufijve të perceptueshëm, dhe që në thelb, qëndron në zemër të vetë ndërgjegjes.
Sot ne dimë me një shkallë të lartë saktësie shkencore se Universi ynë nisi rreth 13.8 miliardë vjet më parë me atë që quajmë Big Bang. Ne jemi në gjendje të llogarisim me precizion temperaturën e plazmës së parë, të gjurmojmë mikrovalët kozmike të sfondit dhe të modelojmë mënyrën se si grimcat e para të materies u formuan. Por ne ende nuk kemi arritur – dhe ndoshta nuk do të arrijmë kurrë – të përjetojmë ose të përkufizojmë në mënyrë përfundimtare atë që ishte përpara kësaj ngjarjeje. Jo sepse mendja jonë është e paaftë, por sepse vetë struktura e realitetit, siç e kuptojmë, nuk ishte ende në fuqi.
E megjithatë, ne përpiqemi ta përfytyrojmë. Dhe kjo përpjekje nuk është e kotë. Ajo është thelbësisht njerëzore.
Njeriu është i vetmi që mund të ”shohë” me mendje yjet që ndodhen përtej çdo galaktike të vrojtueshme, të udhëtojë nëpër miliarda vite dritë përmes një akti të vetëm të vetëdijes. Ai është gjithashtu i vetmi që mund të kthehet përmes këtij akti në kohën kur as vetë koha nuk kishte lindur ende. Në këtë përmasë, përfytyrimi nuk është më një lojë e lirë e mendjes, por një akt ontologjik – një ndërhyrje në strukturën e mundshme të ekzistencës.
A mund të mendojmë një gjendje para-singulare, ku materia ishte në një formë të tillë sa nuk ishte ende e aftë për të ndërtuar strukturë? A mund të përfytyrojmë grimca pa formë, pa masë, të paafta për të bashkëvepruar – grimca që ekzistonin por nuk krijonin asgjë sepse nuk mund të formësonin marrëdhënie? Dhe nëse po, a është kjo gjendje një formë e papjekur e ekzistencës që priste kushtet e duhura për t’u bërë Univers?
Në këto pyetje nuk kërkohet përgjigje përfundimtare. Këtu qëndron vlera e përfytyrimit: jo në dhënien e përgjigjeve, por në hapjen e fushës ku përgjigjet mund të kërkohen. Dhe ky është hapi i parë drejt çdo lloj kuptimi të vërtetë filozofik.
Për këtë arsye, përfytyrimi nuk është vetëm një mjet i mendjes, por edhe një detyrim i saj. Të përfytyrosh atë që nuk mund të shihet, të mendosh atë që nuk ka ende formë, është të bësh një akt përgjegjësie ndaj së vërtetës – siç ndodh kur përpiqemi të kuptojmë vetë gjenezën e qenies.
Përfytyrimi, në thelb, është prova më e lartë se ndërgjegjja nuk është thjesht një pasqyrim i universit, por një bashkëautor i tij. Në aktin e përfytyrimit, njeriu i ofron ekzistencës një mundësi të re për të qenë.
Tani le të përdorim këtë fuqi të mendjes njerëzore për të ndërtuar një përfytyrim para se të fillonte rendi dhe vet ekzistenca të merrte kuptim:
Në përpjekjen për të kuptuar themelet më të thella të realitetit, spekulimi filozofik jo vetëm që është i lejueshëm, por bëhet një mjet i domosdoshëm, sidomos në ato kufij të dijes ku shkenca pushon së foluri dhe përfytyrimi njerëzor shtrihet në skajet e mendimit. Një pyetje e tillë, që del përtej instrumenteve të fizikes bashkëkohore, ka të bëjë me gjendjen e materies përpara Big Bang-ut, apo më saktë, me natyrën e asaj mase të përqendruar në pikën e singularitetit.
Sipas shumicës së modeleve kozmologjike, universi i njohur nisi nga një gjendje singulariteti, një pikë me densitet dhe temperaturë të pafundme, ku ligjet e fizikës pushonin së funksionuari në kuptimin tradicional[1]. Por çfarë ishte ajo masë? Nga çfarë përbëhej ajo? Nëse pas Big Bang-ut u formuan grimcat elementare që ne njohim sot — kuarkët, bozonët, leptonët — a ka ndonjë arsye për të supozuar se diçka edhe më elementare dhe e paformë ishte aty përpara tyre?
Le të marrim si analogji vijën e numrave realë. Ajo shtrihet pafundësisht në të dy drejtimet — si në drejtimin pozitiv, ashtu edhe në atë negativ — dhe në çdo pikë mund të futim një ndarje të re. Ashtu si një numër me zero pafund pas presjes dhe një ‘1’ në fund që ruan vlerën e vet, edhe grimca të përfytyruara para-singulare mund të kenë qenë kaq të vogla, kaq të pakapshme, sa të mos mbartnin as formë, as masë, dhe mbi të gjitha, për të gjeneruar strukturë[2]. Ato mund të kenë ekzistuar si potencial i papërmbajtur, por jo si akt ontologjik.
Ekzistenca, në këtë kuptim, nuk është thjesht të jesh aty, por të jesh në marrëdhënie. Një grimcë që nuk mund të hyjë në marrëdhënie, që nuk mund të lidhet me tjetrën për të ndërtuar një rend apo një strukturë, është ontologjikisht e padukshme, si një numër infinit që ekziston vetëm si potencial abstrakt por nuk ka veprim në ndërtimin e realitetit. Vetëm në momentin kur këto njësi hyjnë në marrëdhënie dhe krijojnë simetri, shkëmbim, ndërveprim, lind ajo që ne e quajmë ’ekzistencë’.
Kësisoj, mund të mendohet se materia para-Big Bang ishte përbërë nga ‘jo-grimca’, nga një substancë ende e papërkthyeshme në strukturë; një ’plazmë e pastër potenciali’, që nuk mund të krijonte asgjë sepse mungonte aftësia për t’u lidhur. Big Bang-u, në këtë kuptim, nuk është vetëm një shpërthim fizik, por një akt origjinal ontologjik: lindja e marrëdhënies, shfaqja e strukturës dhe fillimi i ekzistencës si ndërveprim[3].
Kjo pikëpamje përputhet me idenë që çdo ekzistencë reale është një akt formësimi, një ndërtim që kërkon lidhje. Dhe për aq kohë sa diçka nuk është në gjendje të hyjë në marrëdhënie, nuk mund të thuhet se ajo ‘është’, në kuptimin e plotë të fjalës. Struktura bëhet kështu jo vetëm shfaqje e rendit fizik, por vet kriteri i ekzistencës.
[1] Carlo Rovelli, Reality Is Not What It Seems: The Journey to Quantum Gravity (Riverhead Books, 2016). Rovelli diskuton se në singularitetin e Big Bang, koha dhe hapësira humbasin kuptimin e tyre klasik dhe fizika pushon së funksionuari sipas ligjeve të zakonshme.
[2] Brian Greene, The Fabric of the Cosmos (Vintage, 2004). Greene eksploron mundësinë e niveleve më të thella të realitetit ku grimcat janë forma të paqarta të potencialit, ende të paafta për të ndërtuar strukturë të qëndrueshme.
[3] Roger Penrose, The Road to Reality (Vintage, 2007). Penrose përmend konceptin e ”strukturës si kusht për ekzistencë”, dhe mbështet idenë se ekzistenca lind vetëm kur ndërveprimi krijon rend.
© Erl Kodra
Të gjitha të drejtat e autorit mbi këtë tekst i përkasin ekskluzivisht autorit. Ndalohen rreptësisht kopjimi, riprodhimi, shpërndarja ose çdo përdorim tjetër i pjesshëm apo i plotë i këtij materiali pa miratimin e shkruar të autorit.
Korrik 2025
Lämna ett svar